Vlashent Sata: djaloshi që i këndon Hanës

Prej do kohësh muzika e një kantautori shqiptar nuk ia kishte dalë të më përpinte dhe të “mi prekte telat” sic thuhet në zhargon. Por një djalosh vec me kitare në dorë, një buzëqeshje në sy dhe një Hanë në krahë, një mbrëmjë maji arriti  jo thjesht të mbushë sallën e Universitetin të arteve me njerëz por të mbushë shpirtin e shqiptarëve të etur për dritë.

Vlashent Sata nuk premton dritën e diellit por I lutet Hënës që të lëshojë pak argjend mbi tokë, mbi këtë tokën tonë të vogël të varfëruar dhe më tepër nga fashitja e së bukurës, e së thjeshtës. E me këtë pluhur argjendi që lëshon Hana, Vlashi nga Franca (bir Shkodre) vizaton një Univers që ne thuajse e kemi harruar, e kemi lënë pas si një rrobë e vjetër që nuk na kujton lumturinë e fëmijërisë por se sa të varfër ishim…

Ishim të varfër por më të mirë dhe shpirti ynë ishte plot dritë edhe pse ecnim “Këmbëzbathur”…në ndjekje të Fluturave ëndërrimtare apo tek vraponim për të gjetur këndin e duhur për të ngritur Balonat. Të gjitha këto na I kujton djaloshi me kitarrë që rrëshket nga kitarra në pianoforte me një lehtësi të admirueshme teknike ndërkohë që fluturon shpirtërisht duke na marrë të gjithëve ndër flatrat e tij për të na kujtuar se Hana është brenda nesh…se drita vjen nga aty…se gjërat në dukje të vogla e të zhytura diku thellë në labirintet e kujtesës janë ato më me vlerë.

Prej kohësh bota muzikore e jo vetëm ajo shqiptare përjeton thatësirën e emocioneve për shkak të ngutrendjes drejt konsumit, shkapetjes në bazë të një ritmi që topit mendjen e fashit atë ndjesinë e hollë që francezët e thërrasin me emrin “delicatesse” një magji që të josh nga e bukura por pa e pushtuar dhe përdorur por vec përkundet në krahët e soditjes së saj.

Në një vend ku arti trajtohet si luks apo kur përdoret nga politika në mënyrën më të përcudnuar arti I Vlashent Satës ngjan me një puhizë të lehtë që të freskon rropullitë e shpirtit. Por kujdes, nuk është aq melankolik Vlashenti, përdor nota të buta dhe shtrirje të ëmbla jazzi por ai mban qëndrime ekzistencialiste si pak kush artist në këto anë.

Universi është vizatuar nga Krijuesi, e ribëjnë piktorët  me ngjyra por kjo nuk përjashton që të vizatohet edhe me tingujt e muzikantëve.

Pikërisht këtë ka bërë kantautori Vlashent Sata duke na ofruar një kreshendo emocionesh jo vetëm me timbrikën e zërit te tij të vecantë por sidomos me historitë që ka rrëfyer.

Nën dritën e Hanës…ashtu sic titullohet edhe albumi dhe koncerti në Universitetin e Arteve ka ofruar një amalgamë emocionesh që kishte aromën e kujtimeve të fëmijërisë, imazheve të thjeshta dhe delikate të kohëve të largëta kur nuk kishte shkëlqim por kishte dritë ndjesish të vërteta.

Koncerti I artistit që vjen nga Franca, por është një bir arti sic edhe thotë edhe diku në një intervistë mund të kishte lindur edhe në shkallët e Teatrit të Operas dhe Baletit për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar duke dëgjuar të atin teksa këndonte,  kalon me lehtësinë e fluturës nga instrumenti I kitarrës tek pianoforte, kendon dhe moderon po aq bukur sa këndon pa harruar të drejtojë e tu japë vendin e duhur instrumenteve të bandës së tij.

Të gjithë në funksion të përcimit te emocioneve delikate të zemres, ku gjejnë pasqyrë nëna, babai, flutura, liqeni, djemtë e balonave dhe Hana e bukur që lëshon argjend në Tokë dhe në planetin e ëndrrave të Vlashent Sates.

 Ëndrrat nuk I mban per vete por na bën pjesë të tyre pak nga pak duke e marrë për dore publikun dhe duke I kujtuar se gjërat dhe emocionet më të bukura janë ato të thjeshtat duke na kujtuar se delikatesa është ngjyra e shpirtit.

One thought on “Vlashent Sata: djaloshi që i këndon Hanës

  1. denisa says:

    Pak ore me pare e kam degjuar kete kantautor. Nuk i dija as emrin, as portretin. Me shkaktoi kureshtje natyra e tij, muzika e tij e mencur, si ekuacion muzikor dhe u futa te lexoja dicka per jeten e tij. Gjeta kete artikull plot bote, qe perforcoi bindjen time se nuk isha gabuar me kete ‘zbulim’. Urime Mira!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *